Ndriçimi dhe rëndësia e tij në rritje të eficencës së energjisë
Të gjithë njerëzit, i madh e i vogël, magjepsen nga ndriçimi, veçanërisht kur kthehen në atmosferë festive me drita shumëngjyrëshe. Mirëpo, në një krizë globale si resursesh ashtu edhe për shkak të konflikteve luftarake territoriale dhe gjeopolitike (në rastin e Ukrainës), u bë edhe më e pranishme nevoja e eficencës dhe kursimit të energjisë si edhe gjetja e alternativave të optimizimit për shfrytëzim afër zeros të burimeve energjetike aktuale.
Në fushatë ndërgjegjësimi publik përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit dhe informimit, AEE sjell për publikun e gjerë një seri këshillash praktike se si mund të kursehet energji dhe ulen shpenzimet duke bërë disa veprime sa të thjeshta aq edhe të mençura.
Së pari, të paturit të një drite dhe nevoja e ndriçimit të duhur janë dy nocione që nuk shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën. Kjo pasi drita me ndriçimi të fortë apo të dobët dëmton shikimin dhe jep probleme në shëndet. Për këtë arsye ekspertët këshillojnë të tregojmë kujdes në mbajtjen e një drite me ndriçim të duhur. Për eficencë energjie, ulje kostosh, por edhe për shkak të mirëqenie së syve dhe shëndetit, këshillohet nga ekspertët që të shfrytëzohet në maksimum, aty ku është e mundur, potenciali i ndriçimit natyral, të përftuar përmes elementeve transparente (dritareve). Andaj, duhet të fiken dritat kur ndriçimi natyral është i mjaftueshëm. Kjo mund të zvogëlojë shpenzimet e ndriçimit nga 10 deri në 30%.
Së dyti, duhet të investoni në llamba të teknologjisë LED. Në bazë të treguesve dhe analizave të ekspertëve, llambat LED janë shumë më efikase se sa CFL dhe ato inkandeshente. Përdorimi i ndriçimit LED zvogëlon përdorimin e energjisë me 75% dhe të zgjasin 25 herë më shumë se ndriçimi inkandeshent.
Së treti, për sa i përket ndërtesave publike, të cilat zakonisht janë në kategorinë të konsumatorëve të mëdhenj të energjisë, këshillohet që ndriçimi të jetë në nivelet nga 4500 deri në 4500 Kelvin.
Së katërti, duhet theksuar edhe faktori “njeri”, i cili me veprimet dhe/apo mosveprimet e tij mund të tregojë përgjegjshmëri apo papërgjegjshmëri kur vepron me neglizhencë. Për këtë arsye edhe AEE po vijon me fushata ndërgjegjësuese që synojnë informimin, edukimin dhe rritjen e vetëdijesimit publik mbi kursimin e energjisë dhe përdorim të kujdesshëm të saj. Mjafton një veprim i thjeshtë, i cili nuk merr më shumë se një sekondë kohë: fikja e dritës në zyrat dhe mjediset e tjera, kur nuk ka aktivitet.
Kur të gjithë bashkë punojmë nën një vizion atëherë objektivat janë më lehtësisht të arritshëm.