Punësoni Menaxherët e Energjisë
Ky do të jetë slogani i fushatës së Agjencisë për Eficencën e Energjisë, që synon zbatimin e plotë të detyrimit të konsumatorëve të mëdhenj për të punësuar një Menaxher Energjie. Ju ftojmë të ndiqni një përmbledhje të shkurtër të intervistës së Drejtorit të Përgjithshëm të AEE-së për tu njohur me detajet e procesit dhe të mirat qe sjell në kuadër të uljes se konsumit energjetik.
#AEE #MIE
Konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike kanë detyrimin ligjor për të punësuar një menaxher energjie. Madje, siç edhe u bë me dije publikisht, ky do të jetë edhe slogani i fushatës së Agjencisë për Eficencën e Energjisë, që synon zbatimin e plotë të detyrimit të konsumatorëve të mëdhenj për të punësuar një Menaxher Energjie.
Drejtuesi i kësaj agjencie z. Eltar Deda ka theksuar faktin se “janë mbi 250 subjekte publike dhe private, industrial ose joindustrialë, që tashmë iu ka lindur ky detyrim ligjor për punësim të menaxherit të energjisë”. Pas zbatimit të masave të rekomanduara për kontraktimin e këtyre ekspertëve për optimizimin në eficencë energjie, z. Deda bëri të qartë edhe për publikun e gjerë në intervistën për Scan tv, se “menaxherët e energjisë janë ata të cilët do të hartojnë plane 3-vjeçare, do i ndjekin ato dhe më pas do të nxjerrin qasjen më eficente” bazuar në analizat dhe rezultatet konkrete.
Punësimi i menaxherëve të energjisë jo vetëm është një kërkesë ligjore për konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike, por siç theksoi kreu i AEE-së “na bën të konkurrueshëm për energjinë edhe në tregun ndërkombëtar”.
Në muajin shkurt 2022 AEE zgjeroi numrin e menaxherëve të certifikuar, në bazë të plotësimit të kushteve dhe kritereve përkatëse sipas akteve normative në fuqi, të cilët tashmë kanë mundësinë të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të shërbejnë pranë bizneseve apo institucioneve publike që paraqesin konsum të lartë të energjisë. Megjithatë, duhet të theksohet fakti se sipas legjislacionit, menaxherit të energjisë i lejohet jetë i punësuar vetëm në një subjekt.
Në kushtet e krizës aktuale për energji elektrike po bëhet gjithnjë edhe më e pranishme nevoja për të marrë masa të menjëhershme dhe eficente në mënyrë që të përdoren burimet e rinovueshme të energjisë, duke ulur kështu kërkesën dhe shpenzimet për blerje energjie në rast mosplotësimi të nevojave prej prodhimit vendas.
#AEE #MIE