Bashkëbisedim me studentë dhe profesorë mbi eficencën e energjisë
Një thënie thotë se revolucionet gjithmonë kanë qenë në dorë të rinisë dhe rinia ka trashëguar revolucionet. Nën këtë qasje vlerësuese për forcën që kanë të rinjtë – si bartës të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes njëkohësisht – AEE e ka vendosur këtë target-grup në rolin e bashkëpunëtorit të fushatës ndërgjegjësuese për sa i përket eficencës së energjisë.
Në një bashkëbisedim me studentë, por edhe pedagogë, këta të fundit si mentorë dhe përcjellës të dijes, u paraqit qartazi nevoja për bashkëpunim për një ndërthurje më të mirë mes dijes teorike dhe përvojës praktike. Takime të tilla ballë për ballë, u krye njohja me strategjitë dhe planet e veprimit të AEE-së për politikat e gjelbra kombëtare, në linjën e orientimeve dhe kërkesave të Kapitullit 15, “Energjia”, në rrugën drejt integrimit evropian, kapitull për të cilin Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është institucioni kryesues.
Në këtë seri takimesh të zhvilluara gjatë muajve prill dhe maj, u evidentua se përfshirja e të rinjve në zbatimin e politikave të gjelbra, jo vetëm angazhon këtë energji njerëzore në trajtë rinore, por gjithashtu u jep zë dhe hapësirë për një përfshirje të gjerë aleatësh të planetit Tokë. Bashkëbisedime të tilla dhe bashkëpunime në vijim do të kryhen në vazhdimësi duke krijuar një partneritet të qëndrueshëm të institucioneve me studentë, profesorë dhe komunitetin për rritjen e eficencës së energjisë.