Rreth AEE

RRETH AEE

Agjencia për Efiçiencë të Energjisë (AEE) është person juridik publik buxhetor nën përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

AEE është përgjegjëse për të përmirësuar dhe promovuar eficencën e energjisë në të gjithë ciklin e energjisë dhe në të gjithë sektorët dhe zonat ekonomike të vendit, duke u mundësuar konsumatorëve të ulin kostot e tyre të furnizimit me energji dhe të reduktojnë ndikimin negativ të sektorit të energjisë në ndotjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Për ta arritur këtë, AEE ndërmerr një sërë aktivitetesh, të tilla si: përgatitja e akteve nënligjore dhe zbatimi i tij; vendosja e kërkesave minimale për performancën energjetike në ndërtesa; trajnime profesionale për eficencën e energjisë, lëshimi i certifikatave për audituesit e energjisë dhe menaxherët e energjisë; lidhja e marrëveshjeve vullnetare etj.

Një përgjegjësi tjetër kryesore është përgatitja e Planit Kombëtar të Veprimit për Eficiencën e Energjisë dhe monitorimi i zbatimit të tij masë pas mase, duke synuar arritjen e objektivave të përcaktuara dhe promovimin e masave përkatëse të eficencës së energjisë për të gjithë sektorët publikë dhe privat (sektori i ndërtesave, sektori industrial, sektori i transportit, sektori bujqësor). Në veprimtarinë e saj ditore, Agjencia bashkëpunon ngushtë me institucionet e tjera publike për të mbështetur qytetarët dhe bizneset për të investuar në teknologji dhe zgjidhje efikase, duke promovuar stimuj të ndryshëm, shkëmbimin e informacionit dhe praktikat më të mira sektoriale.

Përgjegjësitë dhe detyrat e AEE-së


• Të përgatisë, të zbatojë dhe të monitorojë politikat dhe programet për përdorimin eficent të energjisë në sektorët rezidencialë të shërbimeve, të industrisë, të transportit dhe të bujqësisë;
• Të përgatisë dhe të monitorojë Planin Kombëtar të Veprimit për Eficencën e Energjisë;
• T’i paraqesë ministrit një raport vjetor të hollësishëm për sa i përket zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Eficencën e Energjisë;
• Të bashkëpunojë me autoritetet qendrore dhe vendore, shoqëritë që operojnë në objektet industriale dhe organizatat e ndryshme jofitimprurëse për krijimin dhe përditësimin e bazës së nevojshme të të dhënave të energjisë, përfshirë llogaritjen e treguesve të eficencës së energjisë, si dhe për zbatimin e masave për nxitjen e eficencës së energjisë;
• Të përgatisë dhe t’i propozojë ministrit aktet e nevojshme nënligjore për nxitjen e eficencës së energjisë, siç parashikohet në ligjin për eficencën e energjisë dhe në ligjin për performancën e energjisë në ndërtesa;
• Të përgatisë standardet, normat dhe rregulloret teknike, me qëllim rritjen e eficencës së energjisë së pajisjeve, aparaturave dhe makinerive që përdoren për prodhimin, transportin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë në sektorët rezidencialë të shërbimeve, të industrisë, të transportit e të bujqësisë;
• Të lidhë marrëveshje vullnetare;
• Të bashkëpunojë me institucionet dhe organizatat vendase e ndërkombëtare, me qëllim përdorimin me eficencë të energjisë dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis;
• Të këshillojë autoritetet e administratës publike vendore, administratorët e ndërtesave publike dhe atyre me destinacion banimi për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të eficencës së energjisë;
• Të bashkëpunojë me organet akredituese për marrjen e informacionit për rezultatet e testeve dhe të matjeve, për përmbushjen e standardeve kombëtare të eficencës së energjisë;
• Të zhvillojë dhe të koordinojë programet e trajnimit;
• Të këshillojë konsumatorët fundorë për programet e eficencës së energjisë, të ndërmarra prej tyre;
• Të mbështesë dhe të këshillojë kryerjen e fushatave të ndërgjegjësimit publik dhe veprimtarive të tjera edukative, lidhur me nxitjen e eficencës dhe kursimit të energjisë;
• Të verifikojë, në rast se e çmon të nevojshme, saktësinë e të dhënave të raporteve të hartuara nga një auditues energjetik;
• Të mbikëqyrë dhe të verifikojë, në rast se e çmon të nevojshme ose në rast se identifikohen parregullsi, saktësinë e të dhënave të raporteve të hartuara nga një auditues energjetik;
• Të mbledhë dhe të administrojë të dhënat e monitorimit;
• Të mbajë dhe të përditësojë bazën e të dhënave me regjistrin e audituesve të energjisë, të kompanive të shërbimit të energjisë, kopje të certifikatave të energjisë, të raporteve të auditimit, të raporteve të verifikimit, bilance të konsumit të energjisë të ardhura nga deklarimi i konsumatorëve të mëdhenj;
• Të kryejë aktivitete të tjera me interes publik, në bazë të dispozitave ligjore dhe të akteve të tjera ligjore në fuqi;
• Të vendosë masa administrative, sipas ligjit për eficencën e energjisë dhe ligjit për performancën e energjisë në ndërtesa;
• Të lajmërojë organet shtetërore kompetente, në rastet kur vërehen shkelje administrative, veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke u propozuar organeve përkatëse marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës, si dhe përgatitjen e kallëzimit penal për veprat penale të vëna re gjatë ushtrimit të kontrollit dhe paraqitjen e tyre pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi;